Policia elektrike aksion në Parkun Rinia, debitorët e KESH – (10 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Sot në orët e para të mëngjesit policia elektrike në bashkëpunim me filialin elektrik të Tiranës dhe policinë e rendit ishin të pranishme në Parkun Rinia. Po priten kabllot për të gjitha lidhjet e parregullta dhe po bëhet ndërprerja e energjisë elektrike kundrejt të gjithë pronarëve të lokaleve që prej kohësh nuk paguajnë dritat. Inxhinieri i zonës për degën shitjes thotë:
“Ky është një aksion që ka marrë policia elektrike në bashkëpunim me degën e shitjes së Tiranës për mbledhjen e parave të debitorëve, që janë në Parkun Rinia dhe ndërprerjen e të gjithë linjave të parregullta”.
Ndërsa zoti Azem Lamaj, drejtori i policisë elektrike për prefekturën e Tiranës, shprehet.
Azem Lamaj:- “Sot vazhdon puna aty ku është lënë herën e fundit. Do bëhet prerja e energjisë të gjithë debitorëve dhe të gjithë atyre që kanë marrë lidhje të paligjshme”.
Sipas degës së shitjes pronarët e këtyre lokaleve janë debitor shtetit një shumë prej 11 milion lekësh dhe ka prej tyre që nuk ka paguar dritat qysh prej dy vjetësh. Ndërsa drejtuesit e këtyre lokaleve dhe qytetarët e shikojnë këtë ndërprerje të energjisë elektrike, sipas këndvështrimeve të tyre, ku shumica e tyre mendojnë se dritat duhet të paguhen nga të gjithë. Është hera e dytë që fuqia e ligjit po ndihet në ambientet e këtij parku./tvklan.al