Policia Elektrike Tiranë sekuestron bizneset për mospagim të energjisë (13 Mars 2001)
Policia Elektrike e kryeqytetit bllokoi dhe sekuestroi sot shumë lokale debitorë ndaj KESH-it. Të ndihmuar dhe nga forcat e Policisë së Rendit, Policia Elektrike e Tiranës është hedhur sot në aksion për të likujduar dëmin e debitorëve. 5 ditë afat i është lënë këtij lokali të njohur në mes të Tiranës për të likujduar shumën prej 1.3 milionë lekëve të reja që ka për të paguar për energjinë e shpenzuar. Deri atëherë lokali do të qëndrojë i mbyllur dhe në rastmospagimi ai sekuestrohet.
Kjo masë e rëndë sekuestrimi është realizuar më pas tek një lokal lojërash fati ku pronari nuk kishte paguar detyrimet ndaj KESH edhe pas paralajmërimit. Shumë tela të tjera që në mënyrë të paligjshme furnizonin lokalet e Parkut Rinia janë prerë nga punonjësit e policisë edhe pse me pak sakrificë. Ndërsa ky lokal i cili i detyrohet KESH 400 mijë lekë, fatura të papaguara, Policia Elektrike në bashkëpunim me Përmbarimin në Gjykatën e Tiranës, sekuestroi mallra të lokalit që kapnin atë shifër.
Aksioni i sotëm i Policisë Elektrike në bashkpunim me zyrat e Përmbarimit dhe Policisë së Rendit ishte një hap tjetër i fortë për respektimin dhe pagesat e faturave të energjisë elektrike të shpenzuar. Ky aksion ndaj debitorëve të shumtë në kryeqytet do të vazhdojë edhe të premten në të tjera lokale./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj