Policia: Fation Muharremi në kërkim për vrasje. Gjykata: Është për tentativë vrasje
Fation Muharremi 32 vjeç është në listën personave më të kërkuar nga policia e Tiranës. Në faqen zyrtare të policisë së kryeqyteti emir dhe fotografia e tij është e publikuar nën përshkrimin si i kërkuar për vrasje i dënuar me 11 vjet burgim.
Por e vërteta është se 32-vjeçari është dënuar nga gjykata e Tiranës me 10 qershor të vitit 2009 (vendimi nr 899) për tentativë vrasje të një bashkëmoshatari në vitin 2007, që mbeti i plagosur . Tvklan.al sjell historinë e plotë të dinamikës së ngjarjes së ndodhur 9 vite më parë në rrugën e “Kavajës”, ku mbeti i plagosur Erando Kurteshi. Tiranë – 28 Korrik 2007 Disa ditë para ngjarjes i dëmtuari Erando Kurteshi ka shkuar në lokalin, që njihet me emrin Pesë dyshat (22222)” që ndodhet në rrugën e “Kavajes” së bashku me shokun e tij Ardit Lazen. Gjatë qëndrimit në këtë lokal ata kanë konsumuar pije alkoolike dhe për shkak të pijes ato kanë filluar të thyejnë gotat në lokal. Gjatë kohës qe ata po kryenin këto veprime në lokal kanë qenë edhe disa djem të moshës rreth 20 vjeç, shokë të Fatjon Muharemi, ndër ta edhe shtetasi Spartak Arixhiu (Kokomani), të cilët i janë drejtuar shtetasit Erando Kurteshi duke i thënë se pse thyente gotat dhe bënte rrëmujë në lokal. Gjatë këtij debati shtetasi Erando Kurteshi, është fyer dhe goditur nga këta djem të gjithë të entitetit romë. Për këtë ngjarje dhe çfarë kishte ndodhur mes tij dhe Spartak Arixhiut (Kokomanit) atë mbrëmje i dëmtuari Erando Kurteshi ja ka treguar kushëririt të tij Ervis Kurteshit . Mbrëmjen e 28 gushtit Erando Kurteshi është telefonuar nga një i afërmi i tij që të shkonte sërish tek i njëjtit lokal, për të sqaruar problemin me personat me të cilët kishte patur konflikt. Menjëherë Kurteshi së bashku me dy të afërm të tij është nisur ne drejtim të lokalit “Pesë dyshat”. Në brendësi të lokalit ka konstatuar se personi me te cilin kishte bërë fjalë disa ditë më parë ishte në lokal së bashku me kushëririn e tij, i cili kishte marre përsipër të ndërhynte me qëllim sqarimin e asaj fare kishte ndodhur disa ditë më parë. Për këtë arsye me kërkesë të tij ata kanë dalë jashtë nga lokali për tu sqaruar. Plagosja në këmbë Me të dalë në rrugë para lokalit i dëmtuari Erando Kurteshi është gjendur nën goditjet e grushteve të shtetasit Spartak Arxhiu (Kokomanit), në këtë moment edhe i dëmtuari Erando ka reaguar duke goditur Spartakun me qëllim që të mbrohej në grindje e sipër ai ka parë se i pandehuri Fatjon Muharemi, të cilin e njihte dhe që ishte së bashku me Spartakun dhe persona të tjerë, ka nxjerrë nga brezi një pistoletë ”Nikelato” dhe ja ka drejtuar në gjoks Erandos, i cili në këtë moment ja ka kapur dorën të pandehurit me të cilën mbante pistoletën duke ia ulur poshtë por pamundur dhe si pasojë pistoleta është shkrepur nga ana e të pandehurit, duke e goditur shtetasin Erando Kurteshi në kembe nga ku plumbi e ka përshkruar atë tej e tej, nëpërmjet kërcirit. Pistoleta shpëtoi 22-vjeçarin nga vdekja Në vazhdim të veprimit të tij kriminal, i pandehuri Fatjon Muharemi, ndonëse i ndodhur në kundërshtimet aktive të të dëmtuarit, ai ia ka drejtuar pistoletën në kokë të dëmtuarit duke qëlluar edhe dy herë të tjera në drejtim të tij por pistoleta nuk ka shkrehur. Pas kësaj ngjarje, i pandehuri është larguar me vrap, ndërsa i dëmtuari Erando Kurteshi, është shoqëruar për në qendrën spitalore. Në dëshminë e dhënë para prokurorit Erando Kurteshi sqaroi se : “I pandehuri doli me 10 veta dhe me një pistoletë më qëlloi mua në këmbe, ku plumbi me hyri nga para dhe më doli nga pas… ai më goditi me armë zjarri… unë rashë në tokë… ai më vuri pistoletën në kokë, dhe e shkrepi dy herë, por ajo nuk shkrepi, më pas ai rimbushi pistoletën, por djali i dajës tim, Artur Kurteshi, e kapi nga krahu dhe goditja e tij devijoi, duke qëlluar në ajër…më pas i pandehuri u largua me vrap, ndërsa mua më çuan në spital, marrëdhëniet nuk i kemi të rregulluara. Fation Muharremi u largua drejt Greqisë Në gjykimin, i cili u zhvillua në mungesë të të pandehurit , gjykata në mbrojtje të interesave të tij , caktoi një avokat kryesisht, i cili pasi u njoh me aktet e dosjes mori përsipër mbrojtjen e të pandehurit duke e realizuar atë deri në përfundim të gjykimit. Pikërisht, deklarimin e mungesës së të pandehurit si edhe mbrojtjen e interesave të tij kryesisht, gjykata e realizoj pasi, pas njoftimit në mënyrë të përsëritur të të pandehurit. Nëpërmjet shkresës nr.9851-prot, date 10.10.2008, të Komisariatit të Policisë Nr. 2 të Qarkut Tiranë se: “me gjithë kërkimet e të pandehurit, gjetja e tij nuk është mundësuar, pasi ai rezulton i larguar për në shtetin Grek. 10 qershor 2009 Gjykata e dënon me 11 vite burg për tentativë vrasje./tvklan.al