Policia gjen makinat e përdorura në grabitjen e bankomatit


Policia gjen makinat e përdorura në grabitjen e bankomatit

18:18 18/01/2017

Kjo veturë “Mercedez- Benz”, është një nga dy makinat e përdorura nga personat që thyen një bankomat, të një banke të nivelit të dytë në Tiranë, mëngjesin e së shtunës.

Disa ditë pas bastisjes së bankomatit në rrugën e Dibrës në kryeqytet, policia bllokoi dy automjete që dyshohet se u përdorën në këtë grabitje.

Mekanizmi i përdorur nga autorët ka bërë që policia ngrejë dyshime se autorët janë pjesë e një grupi të mirëfilltë kriminal, të specializuar në vjedhjen me thyerje të bankave dhe posaçërisht të bankomateve.

Autorët kanë shkallmuar derën e ambientit ku ndodhej bankomati dhe më pas kanë hyrë brenda. Edhe pse alarmi ka njoftuar punonjësit e kompanisë që ruan objektin, kwta tw fundit nuk konstatuan lwvizje.

Kjo ka bërë që autorët të punojnë qetësisht me mjete prerëse dhe bombola me oksigjen për të hapur kasafortën prej gize ku ndodheshin paratë.

Kur kasaforta është hapur, alarmi ka rënë sërish dhe kompania private e sigurisë mbërriti në vendin e ngjarjes por autorët ishin larguar në drejtim të Vorës. Patrullat e policisë u vunë në ndjekje të një fuoristrade “Nissan”, që rezultonte e vjedhur në muajin tetor.

Në Vorë grabitësit, braktisën mjetin ku i priste një tjetër automjet tip “Benz”, me ngjyrë të zezë, e vjedhur në një garazhd te mbikalimi Kamzës.

Me këtë mjet autorët kanë udhëtuar drejt Fushë- Krujës ku e kanë braktisur për tu zhdukur pa lënë gjurmë. Dyshimet e hetuesve janë se grabitësit i kanë kryer edhe dy grabitje të tilla të ngjashme një prej të cilave në qytetin e Beratit. Në lidhje me grabitjen e së shtunës, banka ende nuk ka vënë në dispozicion të policisë një raport të detajuar mbi sigurinë si dhe shumën e parave të grabitura.






Të ngjashme