Policia i përgjigjet PD-së: Nuk mund të përjashtoj policin pa një vendim të formës së prerë


Policia i përgjigjet PD-së: Nuk mund të përjashtoj policin pa një vendim të formës së prerë

18:21 16/08/2016

Pas akuzave të bëra ditën e sotme nga Partia Demokratike për emërimin e Nard Nelit si Shef i Seksionit të Trafiqeve në Policinë e Korçës, ka reaguar Policia e Shtetit.

Kjo e fundit ka theksuar se nuk mund të përjashtojë policin pa një vendim të formës së prerë. Sipas saj, Nard Neli është emëruar në detyrën Shef në Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, datë 05.12.2012, dhe në muajin Prill të vitit 2013 është emëruar Shef Seksioni Kundër Trafiqeve po në këtë sektor. Policia e Korçës me të marrë dijeni ndaj këtij oficeri, Prokuroria kishte nisur procedim penal dhe ka bërë menjëherë pezullimin e tij nga detyra.

Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar me shkresë disa herë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë që të sjellin vendimin e dënimit dhe deri sot nuk është marrë asnjë përgjigje.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:

Lidhur me deklaratën e bërë  nga Partia Demokratike se në Policinë e Korçës është emëruar një oficer i dënuar, sqarojmë se: Komisar Nardi Neli është emëruar në detyrën Shef Sektori në Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, datë 05.12.2012 dhe në muajin Prill të vitit 2013 është emëruar Shef Seksioni Kundër Trafiqeve po në këtë Sektor.

Policia e Korçës me të marrë dijeni se ndaj këtij oficeri, Prokuroria kishte nisur procedim penal ka bërë menjëherë pezullimin e tij nga detyra.

Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar me shkresë disa herë Prokurorisë pranë  Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, që të sjellin vendimin e dënimit dhe deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Më poshtë keni  informacionin e plotë për Komisar Nardi Neli.

Komisar Nardi Neli është emëruar në detyrën shef Sektori në Sektorin kundër trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, me urdhër nr. 115/1 datë 05.12.2012. Me urdhër nr. 990 datë 29.03.2013, është emruar Shef seksioni ai dhe specialist  në Seksionin kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me shkresën nr. 124 datë 14.07.2015 i ka kërkuar komisariatit të Policisë Korçë ndejkjen e procedurës së kërkimit ndaj disa shtetasve: “Për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike”, ndërsa për punonjësin e policisë Nardi Neli për veprën penale “Zbulimi i akteve apo të dhënave sekrete”.

Mbi bazën e kësaj shkrese të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtoria e Policisë së Shtetit me aktin  administrative nr. 682 datë 16.07.2015 ka filluar ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të policisë Nardi Neli.

Më datë 30.07.2015, Drejtoria e Policisë së Shtetit, me shkresën nr. 1008/1, i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë informacion mbi ecurinë e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Me shkresën nr. 1857/1 datë 28.09.2015, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, i kthen përgjigje Policisë së Shtetit se aktet e këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim në Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Më datë 07.10.2015, me shkresën nr. 1008/6, Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, informacion më të detajuar mbi mënyrën e përfundimit të procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Më datë 20.10.2015, me shkresën nr. 1008/7, Drejtoria e Standarteve Profesionale pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e hetimit disiplinor në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli, bazuar në nenin 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me Vendim të KM nr. 750  datë 16.09.2015.

Theksojmë se deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë mbi përfundimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e nenit 4 dhe 462 e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe të nenit 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit,  Policia e Shtetit nuk mund të procedojë për përjashtimin nga polica të punonjësit të policisë Nardi Neli, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nga ana e organit të Prokurorisë./tvklan.al






Të ngjashme