Policia krijon për herë të parë bazën e të dhënave për fenomenin e gjakmarrjes
Për herë të parë, Policia e Shtetit po krijon një bazë të të dhënave për gjakmarrjen në Shqipëri, për evidentimin dhe historikun e individëve apo familjeve të prekura nga gjakmarrja.
Gjatë viteve të fundit fenomeni i gjakmarrjes është keqpërdorur nga shtetas të ndryshëm shqiptarë për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Vazhdimisht Policia e Shtetit merr kërkesa nga homologët e tyre për verifikimin e deklaratave të shtetasve shqiptarë që pretendojnë se janë në gjakmarrje.
Administrimi i një baze me këto të dhëna do të shërbejë për parandalimin e kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Baza e të dhënave do të ndikojë gjithashtu pozitivisht në punën e Policisë së Shtetit duke ofruar konsultimin e të dhënave dhe marrjen e informacionit në çdo kohë për fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri.
/tvklan.al