Policia ndërron mendje: Lejohet qarkullimi i mjeteve të dielën
Pasi komunikuan fillimisht se nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në asnjë qytet ditën e diel, Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë tjetër. Kësaj here ka sqaruar se në fakt nuk do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve as ditën e diel.
“Policia e Shtetit, duke rivlerësuar komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me Udhëzimin për ditën e diel, 31 maj, pa makina, informon edhe njëherë qytetaret se nuk do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve brenda qyteteve as ditën e diel”, thuhet në njoftimin e sjellë për mediat.
Policia thotë se do të përqendrohet vetëm në ndalimin e lëvizjes mes zonave që edhe nesër do të jenë zona të kuqe. Kujtojmë që nesër do të jenë të hapura bizneset dhe do të jetë e lirë edhe lëvizja për këmbësorët. Policia njoftoi më herët se do të ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.
Sqarimi i policisë:
Policia e Shtetit, duke rivlerësuar komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me Udhëzimin për ditën e diel, 31 maj, pa makina, informon edhe njëherë qytetaret se nuk do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve brenda qyteteve as ditën e diel. Policia do te përqëndrohet vetëm në ndalimin e lëvizjes mes zonave, që edhe nesër do të jenë zona të kuqe.
Njoftimi i parë:
Në kuadër të zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia e Shtetit njofton të gjithë qytetarët se në datën 31.05.2020 do të jenë të hapura të gjitha bizneset, si dhe do jetë e lirë lëvizja për këmbësorët, por nuk do lejohet në asnjë qytet të vendit qarkullimi i automjeteve.
Gjithashtu, edhe për këtë fundjavë nuk do lejohet hyrja dhe dalja në zonat e kuqe, si dhe ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet ndalim-qarkullimin me automjete për ditën e nesërme, si dhe të respektohet distancimi social në të gjithë vendin./tvklan.al