Policia në aksion për abuzimin me pronat, shoqërohen 3 persona të tjerë
Një aksion i madh policor po kryhet në Lezhë dhe jo vetëm për të arrestuar personat e shpallur në kërkim si të përfshirë në skemën e mashtrimit për tjetërsimin e pronave në Shëngjin.
Kontrollet kanë nisur që prej ditës së premte dhe po vijojnë edhe sot. Deri tani mësohet se janë shoqëruar tre persona të tjere që janë të përfshirë në këtë skemë.
Ndërkohë që, policia vazhdon kërkimet për të kapur 11 personat e shpallur në kerkim gjatë operacionit “Ranishtja 4”, mes tyre zyrtarë të ish-komunës së Shëngjinit dhe përfitues toke. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Skandali me pronat tek zona e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin çoi në pranga kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe nënkryetarin Enver Hafizi, zyrtarë të Hipotekës dhe Këshillit të Qarkut.
Të gjithë dyshohet se përgjatë periudhës 2016-2017 në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”. Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore./abcnews.al