Policia Rrugore plan të ri masash në Tiranë: Gjoba për këmbësorët që nuk respektojnë rregullat


Policia Rrugore plan të ri masash në Tiranë: Gjoba për këmbësorët që nuk respektojnë rregullat

12:11 16/11/2017

Policia Rrugore e Tiranës planifikon që të aplikojë gjobat për këmbësorët që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Kjo do të kalojë në dy faza. E para do të jetë fazë këshilluese për këmbësorët, e më pas do të fillojnë të aplikohen masat administrative.

Nisur nga analizimi i rasteve të fundit të aksidenteve, rezulton se kemi një shtim të shkeljes së rregullave të qarkullimit nga këmbësorët. 

-Në këtë kuadër, në zbatim të Planit Masave të Ri janë hartuar disa detyra shtesë si më poshtë:

Vendosje e shërbimeve të Policisë Rrugore apo të Patrullave të Përgjithshme, në vendkalimet për qytetarët në pikat ku ka më shumë lëvizje të qytetarëve, por pa lënë jashtë vëmendjes edhe pikat e tjera,  me qëllim monitorimin, këshillimin dhe orientimin e qytetarëve për të respektuar rregullat e Qarkullimit Rrugor.

-Pas një periudhe të caktuar  sensibilizuese e ndërgjegjësuese, Policia Rrugore do aplikojë edhe masat administrative për qytetarët që  nuk zbatojnë rregullat e Qarkullimit Rrugor”,

thuhet në njoftimin e Policisë Rrugore të Tiranës.

Plani i ri i Rrugores përfshin edhe masa të reja për të shmangur aksidentet dhe rritjen e sigurisë rrugore. Kështu, janë ripërcaktuar disa masa për drejtuesit e automjeteve, që janë:

-Planimetria e vendosjes së shërbimeve.

-Mënyra e kombinimit të radarëve në akset rrugore të brendshme por edhe në akset nacionale që lidhen me Tiranën me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara.

-Koordinimi i shërbimeve me Patrullat e  Përgjithshme dhe Shqiponjat duke evidentuar dhe ndëshkuar  në kohë,  në çdo aks rrugor  shkelësit e Kodit Rrugor.

-Kontrolli në mënyrë të pandërprerë me aparatin “Drager”  për parandalimin e përdorimit të  alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.

Policia Rrugore e Tiranës sqaron se gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 32 leje drejtimi, nga këto:

-21 për shpejtësi tej normave të lejuara

-8 për drejtim mjeti  nën ndikimin e alkoolit

-3 për drejtim mjeti në sens të kundërt

Janë vendour  61 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit:

-37  masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit

-31 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse

-87 për shpejtësi tej normave të lejuara, shkelje të semaforit, apo për mangësi të tjera teknike ose në dokumentacion. 

/tvklan.al






Të ngjashme