Policia: Siguria e Rinasit, përgjegjësi e TIA. Injoroi paralajmërimet tona për mungesën e sigurisë


Policia: Siguria e Rinasit, përgjegjësi e TIA. Injoroi paralajmërimet tona për mungesën e sigurisë

15:06 01/07/2016

Perimetri i jashtëm i aeroportit të Rinasit, siguria e të cilit u thye nga tre persona, që grabitën rreth 1 milionë euro një ditë më parë, nga një makinë e transportit të vlerave monetare, ruhet nga koncesionari i Aeroportit. Policia e Tiranës deklaron se përgjegjësia për sigurisë e territorit, të portave hyrëse apo të vendqendrimeve të avionëve, është ekskluzivitet i saj, sipas kontratës së koncesionit.

"Theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aereoportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CCTV,  janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport). 

Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport".  

5

Drejtori i Policisë së Tiranës sqaroi se policia ka konstatuar shpeshherë mungesë të sigurisë në aeroport dhe për këtë e ka vënë në dijeni zyrtarisht koncesonarin me shkresa zyrtare, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë në konsideratë.

"Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, veçanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit.

Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Policisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit.

Po në vijim të korespondencës me shkresë nr 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë si dhe rishikimin e sistemit të kamerave.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Aeroportit datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr 145  Ref : RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave, si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale".

Shkresa, policia i ka drejtuar edhe Autoritetit të Aviacionit Civil, më 25 Prill të vitit 2014 për marrjen e masave të menjëherëshme për zgjidhjen e problematikave të konstatuara me sigurinë, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.

Mungesa e respektimit të standardeve të sigurisë, sipas policisë, çoi edhe në thyerjen e saj nga grabitësit një ditë më parë. Policia sqaroi se, në bazë të ligjit, ajo mban përgjegjësi vetëm për sigurinë e udhëtarëve dhe kryen patrullim të shtuar në kuadër të luftës kundër terrorizmit në kabinat e kontrollit të pasagjerëve dhe në ambientet e brendshme e para terminalit.

1 2 3

Tv Klan





Të ngjashme