Policia vret një tjetër afro-amerikan


Policia vret një tjetër afro-amerikan

16:02 14/06/2020

Ngjarja shkakton sërish protesta të dhunshme

Ky xhirim i kamerave të sigurisë tregon një tjetër rast të vrasjes nga policia të afro-amerikanëve, teksa vendi është në flakë nga vrasja e George Floyd.

Një 27-vjeçar u qëllua për vdekje nga një polic në një fastfood në Atlanta, të premten.

Siç duket nga pamjet, Rayshard Brooks u qëllua teksa përpiqej të largohej me vrap, duke mbajtur në dorë një shokues elektrik që ia kishte rrëmbyer policëve.

Policia lokale tha se fillimisht ai u kishte bërë rezistencë efektivëve, të cilët i kërkuan të dilte nga automjeti i tij. 27-vjeçarin e kishte zënë gjumi duke bllokuar radhën e automjeteve që prisnin të porosisnin ushqime në fastfood. Ishin pronarët e fastfood-it, po ashtu afro-amerikanë që e njoftuan policinë.

Vrasja shkaktoi revolta në Atlanta. Manifestuesit i vunë flakën fast foodit, ndërsa u përleshën me policinë. Shefja e policisë lokale Erika Shields njoftoi dorëheqjen.

Autoritetet i dolën në mbrojtje efektivit që qëlloi ndaj afro-amerikanit, duke thënë se para se t’a qëllonin ai ishte kthyer për t’i sulmuar me shokuesin elektrik. Ndërsa avokatët e viktimës thanë se vrasja ishte akt i tepruar. Protestat anti-racizëm vijojnë të jenë intensive në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Tv Klan






Të ngjashme