Pollo tërhiqet nga kandidimi në PD – (29 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Genc Pollo tërheq kandidaturën për postin e kryetarit të Partisë Demokratike pikërisht një ditë para Kuvendit Kombëtar të saj. Këtë ai e ka publikuar sot në një konferencë për shtyp.
Genc Pollo, Nënkryetar i PD:- “Duke qenë plotësisht të vendosur se jemi dhe do të jemi në Partinë Demokratike, për ti shërbyer asaj për ti shërbyer Shqipërisë dhe demokrasicë, deklaroj se dorëhiqem nga kandidimi im për postin e kryetarit të PD, duke dhënë dorëheqjen edhe nga të gjitha funksionet partiake që mbaj. Duke i uruar sukses PD ritheksoj se unë dhe përkrahësit e mi do të vazhdojmë të kontribuojmë në PD”.
Ndërkohë Pollo ka argumentuar edhe arsyet e tërheqjes së tij nga sfida përball Berishës. Ndaj meje dhe përkrahësve të mi tha Pollo është organizuar një fushatë e njohur intrigash, sharjesh e kërcënimesh.
Genc Pollo, Nënkryetar i PD:- “Do ti thosha haptas dhe qartë zotit Berisha se politikat e përçarjes mbi baza gjeografike apo fetare, dëmtojnë unitetin kombëtar. Ata që i fryjnë përçarjes kombëtare, nuk kanë mundësi për ti shërbyer politikës, shoqërisë dhe shtetit”.
Më tej Pollo ka denoncuar shkeljet e rënda në procesin e vendit. Ai nënvizoi një sërë shkeljesh në Konferencën e Shkodrës, Durrësit, Lushnjes etj. Janë mbajtur të fshehura listat e delegatëve për mua tha Pollo ndërsa për Berishën jo, duke shkelur të gjitha parimet e një konkurimi të barabartë. Sipas Pollos edhe akuza e sajuar dhe momenti i zgjedhur për të përjashtuar deputetin Vejsiu dhe më vonë Leonard Demin etj, është bërë me qëllimin e vetëm për të krijuar një atmosferë lincimi në kuvend.
Ndërkohë rrjedhja e dorëheqjeve në PD ka vazhduar dhe me tërheqjen e Ferdinand Xhaferrit e Leonard Demit nga kandidimi për anëtar të Këshillit Kombëtar dhe nga çdo post tjetër në PD. Por Pollo, Xhaferri e Demi kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga PD, nuk do të krijojnë fraksion dhe nuk do të largohen nga Shqipëria por do të militojnë si anëtar të thjeshtë të kësaj partie.
Pas zhvillimeve të fundit në prag kuvendi Berisha mbetet i vetmi kandidat për kryetar dhe nëse nesër nuk propozohet ndonjë kandidaturë alternative, ai automatikisht është edhe kryetari i PD. Përveç kësaj mos pjesmarja në kuvend e përfaqësuesve të EDU-së është një tjetër sinjal për drejtuesit e PD./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego