PPE, Gahler: Rama hodhi hije të errët mbi zgjedhjet


PPE, Gahler: Rama hodhi hije të errët mbi zgjedhjet

20:09 05/10/2020

“Presidenti të kthejë ligjin, Rama po pengon integrimin”

Votimi në Parlament i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ka sjellë dhe reagimin e grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian.

Përmes një deklarate të shpërndarë nga përfaqësuesi i Politikës së Jashtme, eurodeputetit Michael Gahler, thuhet se me votimin e ndryshimeve të Kodit Elektoral, Kryeministri Rama hodhi hije të errëta mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Duke votuar sot shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, Kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të Prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet”.

Me këtë veprim, vijon deklaratën e tij eurodeputeti, Kryeministri Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë.

“Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE”.

Në emër të grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian, Gahlet i bën thirrje Presidentit të kthejë ligjin elektoral, ndërsa Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij për hir të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar.

Tv Klan






Të ngjashme