Pranga trafikantëve të drogës drejt Italisë
Policia e Durrësit njoftoi mëngjesin e së shtunës, arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Në pranga kanë rënë me qëllim ekstradimin Hajri Balla, 53 – vjeç dhe Fortuz Hajri 24 -vjeç, të dy banues në rrethinat e Shijakut.
Në 15 Gusht të vitit të kaluar për këta dy persona gjykata e Venecias kishte nxjerrë një urdhër arresti për veprën penale “grup i strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike”. Maksimumi i dënimit parashikohet deri në 30 vjet burg.
Por cilët janë personat e ndaluar:
Në fund të Tetorit të 2015-ës, policia italiane dhe ajo shqiptare u angazhuan në një operacion të madh të goditjes së një rrjeti të trafikut të drogës të quajtur “Enigma”, ku u prangosën 16 persona dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë. Policia tha se në krye të grupit qëndronin dy vëllezërit nga Shijaku, Altin dhe Emiljano Hajri. 24-vjeçari Fortuz Hajri i ndaluar të shtunën është i afërm i dy vëllezërve. Ai njihej me nofkën “ambasadori”.
Ndërsa 53-vjeçari Hajri Balla kishte një rol kryesor në këtë grup, pasi sipas policisë ai mbante lidhjet mes krerëve të grupit që jetonin në Shqipëri dhe pjesës tjetër në Itali. Organizata merrej me heroinën, e prodhuar në Afganistan dhe e importuar në Europë nëpërmjet itenerarit ballkanik me kamionë dhe makina të vogla. Në një vit, trafikantët mendohet se arrinin të dërgonin drejt Italisë gati 1 ton heroinë. Pasuria e kësaj organizate kalonte 10 milion eurot.
Tv Klan