Pranvera në Tiranë – (8 Prill 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Sot u dukë se gërshërët e dimrit nuk kishin më fuqi të prisnin hovin e stinës së re. U desh të pushonin shirat e ditëve të fundit për të na rënë në sy se degët e pemëve kanë filluar të vishen me gjethe dhe lulet kanë filluar të çelin. Me të pikasur rrezet e diellit gjyshet nxituan të nxirrnin nipërit e mbesat në ato pak pëllëmb bar që kemi në kryeqytet. E ndërsa pemët do të vishen njerëzit do të zhvishen. Palltot e rënda dhe pantallonat po mbyllen nëpër garderoba duke u shkëmbyer me fustanet dhe minifundet.
Ndërsa më të vegjlit çudia më e madhe mbetet loja e ngjyrave me lulet. Kjo vlen për romantikët, më praktikët kanë shije të tjera. Ndërsa për ata më me përvojë pranvera vërtetë është e bukur por një tjetër stinë është edhe më e bukur. Pavarësisht nga dielli i sotëm apo gjallëria e lulishteve nënat me fëmijë të vegjël i besojnë më tepër shprehjes pranvera nuk vjen me një lule./tvklan.al
Gazetare – Genta Popa