Prapaskenat e filmit “Rrugë të bardha” (Sezoni 2 – 14 Mars 2010)


Prapaskenat e filmit “Rrugë të bardha” (Sezoni 2 – 14 Mars 2010)

Autori: Pamela Jonuzi

22:47 14/03/2010

Histori me zhurmues- Në vitet ‘70-‘80 kinemaja shqiptare pati një zhvillim cilësor. Shumë nga filmat e kësaj periudhe, që kanë hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare, do të kujtohen gjatë për larminë e temave, por edhe për një plejadë të tërë aktorësh dhe regjisorësh të talentuar.

Një ndër ta është aktori dhe regjisori i njohur Rikard Ljarja, që pushtoi për një periudhë të gjatë ekranet dhe televizionin shqiptar, i cili ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues”, i autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Rikard Ljarja rrëfeu prapaskenat e filmit “Rrugë të bardha”, xhiruar në vitin 1974, që ishte edhe viti ku u fokusua sonte emisioni “Histori me Zhurmues”. Ljarja foli për karrierën dhe jetën e tij artistike, si e la violinën për aktrimin dhe vendin që zuri regjisura në jetën e tij.

Rukie Rama ishte një tjetër protagoniste e mbrëmjes së sotme. Vajzës nga Bjeshkët e Tropojës ia ndërprenë ëndrrat për jetën epshi i tërbuar i funksionarëve të policisë së fshehtë.

Nëpërmjet rrëfimit të saj u njohëm me kalvarin e gjatë të vuajtjeve në qelitë e paraburgimit, torturat, presionin dhe deri ekspertizën e virgjërisë.

Stoicizmi, me të cilin përballoi hetuesinë, burgun dhe më pas internimin, e ktheu atë në një figurë të dashur për bashkëqytetarët e saj dhe e bëri personazh në një nga veprat e Kadaresë, “Natë me hënë”. /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme