Prefekti Taulant Dedja: Situata energjetike në vend paraqitet shumë e vështirë (6 Dhjetor 2000)
Sot në drejtimin e Prefektit Taulant Dedja u mblodh shtabi i Prefekturës së Tiranës për diskutimin e problemeve të situatës hidroenergjetike në rajonin e prefekturës së qarkut tonë. Prefekti Dedja tha se aktualisht situata energjetike paraqitet e vështirë. Kjo vështirësi vjen nga mungesa e prodhimit të energjisë elektrike ku mbi 95% e së cilës prodhohet nga hidrocentralet dhe është e lidhur me rënien e reshjeve.
Importi është në kuotat maksimale, por dhe ky është i kufizuar për arsye të lidhjes teknike të linjave. Më pas prefekti tha se në mbështetje me nevojat dhe përmirësimet e situatës energjetike, investimet në këtë sektor kanë qenë të konsiderueshme dhe kanë arritur vlerën totale mbi 10 milionë dollarë.
Kështu do të fillojë puna në 3-mujorin e parë në vitin 2001 për 100 kabinat e reja të cilat do të vendosen në zonat mes Rrugës së Kavajës dhe Rrugës “Myslym Shyri”, në bllokun “Ali Demi”, bllokun “Mihal Grameno” si dhe në blloqet e rrugëve “Vaso Pasha”, “Margarita Tutulani” dhe “Gjik Kuqali” që do të sjellin përmirësime të ndjeshme në rrjetin elektrik.
Në këtë kuadër është dhe vendosja e masave të përqëndruar si bokse kolektive, e cila synon uljen e nivelit të humbjeve, uljen e nivelit të ngarkesave të rritura në mënyrë artificiale. Gjithashtu në zbatim të urdhërit të kryeministrit numër 234 me datë 31.10.2000, në Prefekturën e Tiranës ka funksionuar shtabi i Prefekturës i ngritur për këtë qëllim./tvklan.al