Prefektura e Elbasanit, situatat energjitike – (15 Dhjetor 1999)


Prefektura e Elbasanit, situatat energjitike – (15 Dhjetor 1999)

13:32 15/12/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Janë mbledhur në një takim urgjent specilistët e KESH, Ministrisë Energjitike, Ministrisë së Privatizimit, deputetë të zonës dhe Task Force për të gjetur rrugët dhe mundesitë për të shpëtuar nga situata katastrofike në të cilën ndodhet Prefektura e Elbasanit. Nga drejtorët e elektrikut është dhënë alarmi për gjendjen e amortizuar të rrjetit, pajisjeve dhe transformatorëve.

Gjendja e nënstacionit rëndohet më shumë pas djegies së transformatorit me fuqi 5.6 megavat amper. Drejtuesit kanë pranuar faktin se Prefektura e Elbasanit është më e mirë përsa i takon pagesave të faturave. Drejtori i shitjes për Republikën ka hedhur idenë e ngritjes së grupeve të punës ku do marrë pjesë dhe pushteti lokal, për të sjell një kapërcim të situatës.

Pavarësisht nga problemet e këtij rrethi Bashkia ka menduar për zbukurimin sipërfaqësor të qytetit për t’i dhënë atmosferë festive në prag të Vitit të Ri. 18 milion lekë janë akorduar nga kjo Bashki dhe Këshilli i Rrethit për natën e Vitit të Ri. 15 milion akordon Bashkia dhe 3 milion Këshilli i Rrethit. Me këtë fond do të realizohet ndriçimi i qytetit, është menduar për fishekzjarre, banderola, koncerte dhe një pemë e madhe në qendër të qytetit.

Atmosfera festive në këtë qytet do nisë që sot pasi 15 Dhjetori është dita e fillimit të takimit teatror ndërkombëtar. Por 31 Dhjetori do të ndriçoj të gjitha rrugët e Elbasanit, më shumë se çdo herë tjetër./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti






Të ngjashme