Preku zemrat e gjithë botës, mbyll sytë përgjithmonë 7-vjeçarja
7-vjeçarja nga Jemeni, Amal Hussein, fotografia e së cilës në “The New York Times” u bë simbol i konfliktit që po shkatërron vendin prej shumë vitesh, ka ndërruar jetë.
Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet Husi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në foton e shkrepur nga fotoreporteri fitues i çmimit Pulitzer, Tyler Hicks, shfaqet vogëlushja e dobësuar në një shtrat gjatë kohës që mjekohej në klinikën lëvizëse të UNICEF në Aslam, Jemen.
Fotoja e zymtë e fëmijës në dhimbje, u kthye në simbol të luftës brutale civile që ka shtyrë drejt urisë miliona njerëz në Jemen.
“
Amal vetëm qeshte gjithmonë. Tani jam e shqetësuar për fëmijët e tjerë
”, tha Mariam Ali, nëna e Amalit, në një prononcim telefonik për “The Times”. Ajo tha se Amal kishte mbyllur sytë më 26 Tetor.
Fotoja solli sensibilizim të gjerë global kundër luftës në Jemen. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis dhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo bënë thirrje për një armëpushim në Jemen brenda 30 ditëve të ardhshme.
Konflikti më shumë se 3-vjeçar mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe të mbështetur nga SHBA-të me fiset Husi të mbështetura nga Irani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 10 mijë personave./tvklan.al