Presidenca-Ballës: Fakte të reja do të dalin, ke kohë deri në 2 Mars
Pas deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, erdhi edhe reagimi i Presidencës. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, tha në Facebook: Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon.
“Ka harruar që e ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri tani. Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre”, shkruan ai më tej.
Duke iu përgjigjur Ballës, i cili tha këtë të premte se Komisioni i Venecias ka opinione ekzistuese në lidhje me ligjin për betimin, Blushi tha se ato vende kanë një tjetër kushtetutë nga e jona.
Ndër të tjera, Blushi, theksoi se do të dalin të tjera fakte të reja në dritë nga Presidenca.
“Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian? S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese. Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillio që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni? Apo s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që ju e pretë në besë. Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian? Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta? Duan të sabotojnë ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro. Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve. Ah po, shqiptarët do fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave. Fakte të reja do dalin Tao, dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë”, shkruan Blushi./tvklan.al