Presidenca: Shqiptarët nuk i marrin leje askujt për të nderuar idealet amerikane
“Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk puth flamurin e asnjë vendi tjetër, përveç flamurit kombëtar”. Kështu nis një deklaratë e Presidencës përmes zëdhënësit të kreut të shtetit Ilir Meta, Tedi Blushi.
Në të sqarohet se Ilir Meta ngriti flamurin e SHBA-ve në manifestimin e 2 Marsit në nderim të grupit shqiptaro amerikan që udhëtuan për ditë të tëra.
“Presidenti Meta në Manifestimin madhështor Mbarëkombëtar të 2 marsit ka ngritur Flamurin e SHBA, të sjellë nga grupi i shqiptaro-amerikanëve në nderim të gjithë atyre të cilët udhëtuan për ditë të tëra për t’iu bashkuar pranverës kuqezi. Presidenti Meta vlerësoi me këtë akt, jo vetëm shqiptaro-amerikanët të cilët i konsiderojnë të shenjta të dy Flamujt, por edhe të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të cilët me shumë të drejtë e mbajnë Flamurin Amerikan në shtëpitë e tyre, si simbol të lirisë dhe drejtësisë”, shkruhet në deklaratë.
Ndër të tjera Presidenca thotë se shqiptarët nuk kanë pse t’i marrin askujt leje për të nderuar idealet amerikane. Por është Edi Rama, të cilit institucioni i Presidencës i referohet si “gruaja e Bilalit” që duhet të bëjë publikisht disa sqarime meqë pretendon se nuk bën asnjë dhunim të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës pa lejen e “amerikanëve”.
Gjatë manifestimit të 2 Marsit, Presidenti Ilir Meta ngirit flamurin amerikan. Pas këtij veprimi, ambasadorja Kim nëpërmjet një postimi në Tëitter u distancua nga ky veprim.
“U surpizova që në “manifestimin” e mbrëmjes së sotme pashë flamurin amerikan. Për të evituar çdolloj konfuzioni, dëshirojmë të qartësojmë se teksa SHBA mbështet të drejtën e një proteste paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me “manifestimin” e sotëm”, shkruajti Kim./tvklan.al