16:36 16/05/2014Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për funksionimin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe kontrrollit të Pasurive.Në relacionin që i ka dërguar Kuvendit ku arsyetohet ky vendim i marrë nga kreu i shtetit thuhet se heqja e kompetencës së Presidentit të Republikës për të propozuar kandidaturat për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP –së është një akuzë institucionale që i bëhet Presidentit të vendit si organ kushtetues, për njëanshmëri politike, duke qenë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe funksionin e tij si Kryetar Shteti.Është e vërtetë që – shprehet Presidenti, që zgjedhja e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së nuk përfshihet në listën e kompetencave të cituara në nenin 92 të Kushtetutës dhe as në nene të tjera të saj, pasi ky Institucion nuk ishte krijuar në kohën e hartimit të Kushtetutës.Por Presidenti nënvizon se neni 94 i Kushtetutës shpreh qartë frymën e saj dhe qëllimin e kushtetutë-bërësve për t’i mundësuar ligjvënësit një lloj fleksibiliteti në përcaktimin e kompetencave të tjera për Presidentin.Analiza e kompetencave të Presidentit të Republikës konfirmon karakterin e paanshëm që kushtetutë-bërësit kanë dashur t’i japin funksioneve të tij duke dalë qartë roli i rëndësishëm dhe i veçantë i Presidentit si dorëzanës i balancës ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor – thuhet në relacionin e kreut të shtetit.Në përfundim, ai shprehet se ky ligji bie ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.TV KLAN