
Presidenti i Meksikës anulon vizitën në Washington
Me firmosjen e urdhërit për ndërtimin e murit në kufirin SHBA – Meksikë, presidenti amerikan Donald Trump ka përshkallëzuar marrëdhëniet me fqinjët.
Kjo ka detyruar presidentin e Meksikës, Enrike Pena Nieto, të anulojë vizitën zyrtare në Uashington, e programuar për datë 31 janar. Presidenti meksikan u shpreh i palëkundur nga pozicioni i tij, se Meksika nuk do të paguajë asnjë qindarkë për murin, sikurse kishte deklaruar Trump.
“E kam thënë disa herë, Meksika nuk do të paguajë për asnjëlloj muri. Vendi ynë i ofron miqësi popullit amerikan dhe është i gatshëm të arrijë marrëveshje me qeverinë amerikane”.
Vetë presidenti Trump i kishte paraprirë anulimit të takimit, duke deklaruar se nëse Meksika nuk dëshiron të paguajë për murin aq fort të nevojshëm, atëherë do të ishte më mirë të anulohej takimi.
Ndërtimi i një muri më shumë se 3 mijë kilometra përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, ishte një nga premtimet elektorale të presidentit Trump.
Tv Klan