Kina: Tajvani do të bashkohet me ne


Kina: Tajvani do të bashkohet me ne

09:34 09/10/2021

Tension pas deklaratave të Presidentit kinez

Ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare deklarata e Presidentit të Kinës  Xin Ping se “ribashkimi” me Tajvanin “duhet të përmbushet”. Deklarata vjen në një moment kur në ishull ka një tension të lartë nga frika e një aneksimi të dhunshëm nga Pekini. Presidenti kinez tha se bashkimi duhet të arrihet në mënyrë paqësore, por paralajmëroi se populli i tij kishte një “traditë të lavdishme” të kundër separatizmit.

“Detyra historike e ribashkimit të plotë të atdheut duhet të përmbushet dhe patjetër do të përmbushet.”

Ka reaguar menjëherë Tajvani që tha se e ardhmja e tij ishte në duart e njerëzve të tij. Tajvani e konsideron veten një shtet sovran, por Kina e shikon atë si një provincë të shkëputur.

Pekini nuk ka përjashtuar më herët as përdorimin e mundshëm të forcës për të arritur bashkimin. Deklarata e fundit vjen kur Kina dërgoi një numër rekord avionësh ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit ditët e fundit.

Kina dhe Tajvani u ndanë gjatë luftës civile në vitet 40, por Pekini këmbëngul se ishulli do të rimerret në një moment, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Ishulli ka kushtetutën e tij dhe udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Vetëm pak vende e njohin Tajvanin. As Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare dhe pse i shesin armë ishullit për të mbrojtur veten. Pas tensionimit të marrëdhënieve SHBA kanë deklaruar se janë kundër çdo veprimi që minon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Tv Klan






Të ngjashme