12:01 26/05/2014Presidenti Bujar Nishani është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Komunës Frashër”, në vlerësim të respektit dhe nderimit që i ka bërë kësaj treve të patriotizmit dhe kulturës kombëtare.Titulli i’u dha nga Këshilli i Komunës gjatë ceremonisë festive të Ditës Naimjane, që përkon me ditëlindjen e rilindasit të shquar Naim Frashëri. Në ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministra , deputetë, të zgjedhur lokalë, si dhe akademikë nga Kosova.Pasi vizituan shtëpinë muze, presidenti Nishani dhe Kryetari i Kuvendit vendosën buqeta me lule pranë busteve të tre vëllezërve Frashëri.Për kreun e shtetit, Frashëri është meka e Rilindjes Kombëtare, vendi i mikpritjes dhe djepi i njerëzve të shquar e patriotë në hapësirën e tolerancës fetare. Teksa vlerësoi kontributin e vyer që kanë dhënë tre vëllezërit Frashëri, symbol i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, presidenti Nishani tha se për asnjë rast nuk duhet harruar vepra e pavdekshme e Samiut “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet”, e botuar 115 vite më parë, e që mbart ende të njëjtin mission, mëkëmbjen e një shteti të përparuar shqiptar në gjirin e Europës së lulëzuar.Bujar Nishani: “Ne kemi për detyrë të mos e harrojmë këtë mision dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona për të mos lënë jashtë kësaj detyre edhe rimëkëmbjen e qytezës së dikurshme të Frashërit (siç e cilësonte vetë Samiu – qytetin e vogël të Frashërit), të cilin për fat të keq historia e dogji 100 vjet përpara, por që prapë historia nuk do ta lërë të shuhet përjetë”.Ne këtu zotohemi para bijve fisnikë të djeshëm dhe të sotëm të këtij fshati, se do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që kemi në dorë, për rigjallërimin e qytezës së dikurshme, për ta bërë Frashërin përsëri një vendbanim të lulëzuar. Bujar Nishani: “Është detyrim historik i kohës sonë të Rigjallërojmë Frashërin, të zbulojmë energjitë historike, njëkohësisht pasuritë e mëdha ekonomike dhe turistike që ai ruan për vetëgjallërimin e tij. Ai ka potencë të jashtëzakonshme tërheqëse historike për bashkëkombësit e sotëm shqiptarë kudo që ndodhen”.Edhe për kryetarin e Kuvendit Frashëri mbetet një vatër e pavdekshme e atdhetarizmit që i duhet kthyer shkelqimi i hershëm.Ilir Meta: “Sot Frashëri ka urgjencë dhe emergjencë për Rilindje, për rikthimin e shkëlqimit të hershëm, për të krijuar më shumë mundësi për punë dhe siguri, për të ecur më shpejt në rrugën e progresit dhe mirëqenies dhe për të vazhduar të jetë sot e mot, “Meka” e besimit tonë kombëtar.”Gjatë ceremonisë në festën “Dita Naimjane” , presidenti Nishani dekoroi me “Nderi i Kombit” klerikun dhe patriotin orthodoks At Stath Melani si dhe klerikun dhe patriotin bektashi Baba Alush Frashëri.TV KLAN