Presidenti Nishani viziton Urdhrin Sovran të Maltës
Me ftesë të Princit dhe Mjeshtrit të Madh, Lartësisë së Tij Më të Shquar, Fra’ Matthew Festing, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë zyrtare në Urdhrin Sovran të Maltës.
Pas ceremonive zyrtare, Presidenti Nishani dhe Mjeshtri i Madh zhvilluan një takim kokë më kokë. Kreu i Shtetit vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, duke theksuar se në themel të këtij bashkëpunimi qëndrojnë vlerat e virtytet dhe solidaritetit për njerëzit në nevojë. Bujar Nishani, President i Republikës:Ndihma në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe ndihmës sociale, por edhe në përballimin e emergjencave civile, si dhe kontributi në përballimin e fluksit të refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, nuk do të harrohet kurrë nga shqiptarët dhe do të jetë një themel i fortë e i qëndrueshëm i miqësisë mes tyre dhe Urdhrit Sovran të Maltës. Vlerat dhe fryma e solidaritetit për njerëzit në nevojë të Urdhrit Sovran të Maltës më sjellin ndërmend kontributin e shquar të shqiptares Nënë Terezës, e cila prej 4 shtatorit të këtij viti na lumturon si Shën Tereza e Kalkutës.
Në fund të vizitës zyrtare, Presidenti Nishani u dekorua nga Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran të Maltës, me dekoratën më të lartë të Urdhrit: “Collare pro Merito Melitensi” për kontributin e dhënë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve mes Urdhrit Sovran të Maltës dhe Republikës së Shqipërisë. Bujar Nishani, President i Republikës:Personalisht ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar, por njëkohësisht e konsideroj këtë dekorim si një nder që u bëhet të gjithë bashkëqytetarëve të mi dhe si një vlerësim për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë e shqiptarëve me Urdhrin Sovran të Maltës.
Presidenti Nishani vlerësoi pasurimin e kuadrit ligjor mes Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, përmes nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes kuadër të Bashkëpunimit, e cila shumë shpejt do t’u hapë rrugën marrëveshjeve të tjera më specifike./ TV KLAN