Presidenti pret në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit


Presidenti pret në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit

11:26 05/11/2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Në një njoftim nga zyra për shtyp e kreut të shtetit thuhet se Meta vlerësoi rolin e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës dhe përgëzoi të gjithë shqiptarët atje për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Serbi, duke fituar tre deputetë.

Meta shprehu interesim dhe vëmendje të veçantë për gjendjen shëndetësore të qytetarëve të Luginës në përballjen me pandeminë COVID-19.

Presidenti theksoi faktin se shteti shqiptar gjithnjë ka kërkuar që trajtimi i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të bëhet në përputhje me standardet më të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike për pakicat, duke i konsideruar ato si ura lidhëse mes popujve tanë.

“Integrimi i plotë i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës qendrore, por edhe në atë vendore, si dhe respektimi i të drejtave të tyre ndikon pozitivisht edhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë”, – u shpreh Kreu i Shtetit./tvklan.al






Të ngjashme