Presidenti reagon për grabitjen: Dënoj aktin, përgjegjësit të vihen para ligjit
Në një reagim të Kabinetit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, mbi deklaratat e deputetëve të Komisionit të Sigurisë, kreu i Shtetin shkruan se ka ndjekur me shqetësim serioz ngjarjen tepër të rëndë që ndodhi në aeroport.
Presidenti dënon me ashpërsi këtë ngjarje tejet të rëndë të ndodhur në një objekt të rëndësisë së veçantë, në një kohë kur është shpallur zyrtarisht rritja e nivelit të rrezikshmërisë dhe shtimi i masave të sigurisë pas sulmeve terroriste në Aeroportin e Stambollit dhe në vende të tjera.
Presidenti i Republikës gjykon se përballimi i ngjarjeve të tilla kërkon ushtrimin e kompetencave nga gjithsecili, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka të gjithë instrumentet dhe mekanizmat e duhur në dispozicion të tij për kontrollin, hetimin dhe vlerësimin mbi të gjitha institucionet që përgjigjen përpara Parlamentit.
Sipas Nishanit ky rast tregoi se sa rrezikshmëri dhe kufizim të ushtrimit të pushtetit ka krijuar heqja e një sërë kompetencash kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në situatat e kërcënimeve të sigurisë kombëtare.
Presidenti kërkon nga të gjitha agjencitë ligj-zbatuese:
zbulimin e plotë të kësaj ngjarjeje; vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të saj dhe të personave që gjatë kohës së ushtrimit të detyrës lejuan apo dështuan të reagojnë sipas ligjit; rritjen efektivisht të masave të sigurisë në standardin që i takon një vendi anëtar të NATO-s
./ TV KLAN