Thaçi: Jo ndarjes së territorit mbi baza etnike


Thaçi: Jo ndarjes së territorit mbi baza etnike

15:35 06/08/2018

Për të katërtën ditë radhazi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë sqarime për propozimin e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, që në opinionin publik është interpretuar si ndarje e Kosovës.

Ashtu si në konferencën për shtyp të fundjavës, replikave me ish-Kryeministrin Berisha apo në një intervistë për ‘Kosovapress’, edhe në një postim të së hënës në Twitter, Thaçi thotë se ai është prerazi kundër ndarjes mbi baza etnike të kufirit me Serbinë.

“Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarjes në bazë të vijave etnike, por jemi “pro” korrigjimit të kufirit dhe njohje reciproke”.

Polemikat shpërthyen pas deklaratës së tij në një konferencë për shtyp, se do të mundësinë e përfshirjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin e Kosovës, me kërkesë të drejtuesve shqiptare të krahinave që janë pjesë e territorit serb.

Thaçi ka bërë të ditur se kërkesa do t’i nënshtrohet një referendumi. Në të njëjtën linjë me Presidentin është edhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës të themeluar nga Thaçi.

Në një shkrim për shtypin në Kosovë, ai shprehet se Kosova synon që të njihet ndërkombëtarisht si shtet i pavarur në bazë të territorit të shpallur të pavarur prej 1999-ës.

Idetë për shkëmbime territoresh, thotë Veseli, janë lajme të rreme dhe keqinterpretime që u përshtaten planeve të vjetra të Serbisë, me qëllimin e vetëm, nxitjen e tensioneve dhe destabilitetit.

Tv Klan






Të ngjashme