Presidenti Thaçi kryen një ndërhyrje kirurgjikale


Presidenti Thaçi kryen një ndërhyrje kirurgjikale

17:59 23/04/2020

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kryer një operacion kirurgjikale pasditen e kësaj të enjteje.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenca kosovare përmes një njoftimi ku thoshte se, operacioni ka kaluar me sukses dhe Thaçi ndodhet nën kujdesin e mjekësve.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës.

Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional

“Pas përfundimit të këtij intervenimi, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe në tërë SHSKUK-në”, thuhet në njoftim.

Pas këtij lajmi reagoi Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili i uroi shërim të shpejtë Thaçit.

“I uroj përzemërsisht shërim të shpejtë e shëndet të plotë Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe i shpreh familjes së Tij të dashur gjithë mbështetjen time. Urime personelit mjekësor të Klinikës së Urologjisë në Shërbimin Spitalor të Kosovës për profesionalizmin e dëshmuar”, shkruan Meta.

Disa ditë më parë, mediat raportuan se Presidenti Thaçi u shtrua në spital për shkak të shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshka./tvklan.al






Të ngjashme