Presidenti thyen orarin e lëvizjes: Ishte një gabim
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka kërkuar falje pasi shkeli orarin e lëvizjes për shkak të pandemisë.
Ai qëndroi në një restorant në Vjenë, përtej orarit të mbylljes pavarësisht masave në vend. 76-vjeçari tha se kishte humbur sensin e kohës ndërkohë që po qëndronte me disa miq në një restorant në qendër të qytetit.
“Më vjen shumë keq. Ishte një gabim. Dola për herë të parë që prej karantinës me dy miq dhe gruan. Humbëm sensin e kohës ndërkohë që po bisedonim”, sqaroi ai në Twitter.
Presidenti u pikas nga policia teksa darkonte pak pas mesnate të dielën. Mirëpo rregullat e qeverisë për restorantet dhe kafenetë thonë se duhet të jenë të hapura deri në orën 23:00.
Van der Bellen u shpreh se do të marrë përgjegjësinë nëse pronari i restorantit do të gjobitet.
Austria ishte një nga vendet e para në Europë që vendosi rregulla të forta për shkak të pandemisë. Gjithashtu është një nga vendet e para që ka filluar lehtësimin e masave.
Atje lejohet grumbullimi deri në 10 persona që prej fillimit të Majit, ndërsa që muajin e kaluar filloi frekuentimi i parqeve publike, dyqaneve etj./tvklan.al