Presidentit Rexhep Mejdani deklaratë – (26 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Presidenti Rexhep Mejdani:- “Të dashur bashkëkombas në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që ndodheni. Prej dy ditësh po jetojmë një ngjarje të lidhur drejtëpërsëdrejti të lidhur me fatin e Kosovës dhe të Kombit tonë, të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. E kam fjalën për bombardimet e Natos në Serbi dhe për vendosmërinë e SHBA dhe fuqive perëndimore, për të arritur paqen në Kosovë. Presidenti i Jugosllavisë së mbetur Sllobodan Millosheviç është përgjegjësi numër një për këtë zhvillim që morën ngjarjet. Ai dhe vendi i tij jo vetëm refuzuan paqen e ofruar nga vendet e grupit të kontaktit në konferencën e Rambujesë, por vazhduan e po vazhdojnë genocidin ushtarako policor në Kosovë kundër një populli tjetër, kundër shqiptarëve ashtu siç kanë bërë gjatë këtij shekulli. Historia e Kosovës martire është një cikël i pastrimeve etnike, vrasjesh, shkatërrimesh e dëbimesh nga tokat e tyre. Shteti shqiptar ka kërkuar ndërhyrjen ushtarake në Kosovë në shërbim të paqes. Bombat e Natos mbi objektet ushtarake serbe janë përgjigjja që bota e lirë u jep regjimeve gjakatare e pushtuese. Mbështetja jonë për aksionet e Natos dhe për vendosmërinë e presidentit Klinton për të arritur paqen me çdo mjet e mënyrë është e plotë. Paqja do fitojë në Kosovë pavarësisht nga çmimi. Ju ftoj të gjithëve të jemi në lartësinë e këtij momenti historik duke ruajtur gjakftohtësinë, duke zhvilluar ndjenjën qytetare e Kombëtare. Ftoj subjektet politike të evitojnë veprimet e panevojshme dhe të ridimensionojnë luftën politike për çështje që presin. Kosova është problem i problemeve. Le të jemi të denjë për të qenë në një hap me këtë zhvillim të madh./tvklan.al