Presidentja e KE: Kemi një plan të madh për Ballkanin Perëndimor, 30 mld Euro investime


Presidentja e KE: Kemi një plan të madh për Ballkanin Perëndimor, 30 mld Euro investime

15:18 06/10/2021

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për mediat pas samitit të Sllovenisë ka bërë thirrje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në fjalën e saj, von der Leyen u shpreh se BE për rajonin ka një plan shumë të madh ekonomik që shkon deri në 30 miliardë Euro.

“BE nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE. Qëllimi ynë është zgjerimi. Plani ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe është në qendër të angazhimit tonë në rajon. Kemi një plan të madh, me 30 miliardë euro për rajonin. Duhet një treg i përbashkët rajonal.

Sa i përket reformave, është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po ndërmarrin reforma të rëndësishme, është bërë shumë progres dhe është i dukshëm. Duhet të theksojmë reformat, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, lirisë së medias dhe zhvillimin ekonomik”, tha presidentja e KE.

Më tej Presidentja e KE tha se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

BE ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara. Kemi diskutuar në samit dialogun”, shtoi ajo./tvklan.al






Të ngjashme