Pretendonte se hiqte magjitë, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për Gazmend Malaj (13 Mars 2001)


Pretendonte se hiqte magjitë, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për Gazmend Malaj (13 Mars 2001)

14:27 13/03/2001

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet rreth aktivitetit të të vetëquajturit mjek popullor Gazmend Malaj për të cilin flitet se është larguar ditët e fundit nga Shqipëria. Sipas Prokurorit të Tiranës Thoma Jano në Prokurori ka mbërritur një denoncim nga Sokol Mitaj, nipi i Gazmend Malës ku mjeku popullor akuzohet për vepra të dhunshme ndaj pacientëve të tij. Po sipas prokurorit Jano, deri tani në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur vetëm ky denoncim në drejtim të Malaj, megjithatë gjatë hetimeve do të merren në pyetje dhe disa prej pacientëve.

Gazmend Malaj ushtronte profesionin e mjekut popullor që prej vitit 1994 në një vilë 3-katëshe në Tiranën e Re. Ai ishte pajisur me një licensë 3-vjeçare lëshuar në atë kohë nga ish drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë. Mjeku pretendonte se ishte dora e zotit dhe se zotëronte bio-energji në sajë të së cilës shëronte sëmundje të tilla neurologjike si epilepsia dhe magjitë. Vizitat mjekësore tek Malaj kushtonin 5 mijë lekë të reja.

Në fund të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë kërkoi ndalimin e reklamave dhe spoteve televizive të subjekteve private shëndetësore të papajisura me licensë përkatëse. Në këtë kërkesë të dikasterit të shëndetësisë përfshihej dhe spoti televiziv për aktivitetin e mjekut popullor Malaj, pasi afati kohor i licesës së tij kishte skaduar. Më pas aktiviteti i paligjshëm i mjekut popullor filloi të denoncohej në faqet e shtypit të shkruar shqiptar ndërkohë që Gazmend Malaj mendohej të jetë larguar nga Shqipëria për në Gjermani ku pretendonte se ishte kualifikuar për sëmundje neurokirugjike dhe kishte një klinikë mjekësore private./tvklan.al






Të ngjashme