Prezantim qesharak i Shqipërisë në Olimpiadë: Incidente, sherre dhe…


Prezantim qesharak i Shqipërisë në Olimpiadë: Incidente, sherre dhe…

16:41 08/08/2016

Prezantimi në një Olimpiadë, që zhvillohet vetëm një herë në 4 vjet, duhet të jetë i menduar mirë dhe sa më dinjitoz, por ai i Shqipërisë në Rio i ka kaluar përmasat e qesharakes. Që nga dita e parë e ceremonisë së hapjes e deri sot faqet e shtypit të përditshëm janë të mbushura me çudi, që vijnë nga ekipi ynë modest me vetëm 6 sportistë, që kanë udhëtuar drejt Brazilit të largët.

I pari skandal ishte ai i përjashtimit nga ceremonia hapëse e peshëngritëses Evangjeli Veli, e ftuara e fundit në Olimpiadë pas përjashtimit të Rusisë.

Ajo u ndalua të parakalojë për shkak të mungesës së një kostumi që sipas krerëve të Komitetit Olimpik e kishin të pamundur ta përgatisin në pak ditë. Megjithatë Veli bëri një paraqitje të mirë duke u renditur e 8-ta në botë në peshën e saj.

Një tjetër figurë e keqe e bërë prej ekipit shqiptar ishte sherri për ata që do të parakalonin në pistë. Kreu i KOKSH, Viron Bezhani zbuloi vetë se Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza i kishte zënë vendin trajnerit të një sportisti, por ai u ndalua në momentet e fundit. Por në Rio, çuditë me shqiptarët nuk kanë fund.

Një tjetër konflikt i hapur është ai mes Presidentit të KOKSH, Viron Bezhani dhe peshëngritësit Briken Calja. Sportisti kërkon që Bezhani të tërheqë deklaratat për dhënien e bursës olimpike duke kërcënuar se do të bojkotojë garën.

Mbetet për të parë deri ditën e garës. Dhe për ta mbyllur historinë e incidenteve është regjistrimi gabim i notarit Sidni Hoxha, i cili duhet të garojë në një bateri të papërshtatshme për të. Nëse Kosova bëri prezantimin më të mirë të saj, Shqipëria me më shumë fonde i ka dhënë kësaj Olimpiade vetëm lajme pa lidhje me sportin. /TV KLAN






Të ngjashme