Turqia jep 9 mijë uniforma për policinë, Rama e Tahiri: Dinjitet për policët
Gjatë aktivitetit “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të trupit diplomatik u prezantuan uniformat e reja për efektivët e Policisë së Shtetit të mbështetura nga Turqia.
Në fjalën e tij Tahiri tha se tashmë policia ka një pamje të re, një status të ri.
“
Sot është një ditë shumë e rëndësishme, që pas 3 vitesh këmbëngulje përfunduam bashkë këtë projekt të rëndësishëm për Policinë Shqiptare dhe kjo nuk është çëshje veshje, por çështje dinjiteti për besimin e publikut te uniforma që përfaqëson ligjin. Nga sot, policia do të ketë uniformat e reja të plota për çdo stinë dhe cilësore. Gjetëm një polici të varfër në arsim, sot ajo është me edukuar dhe më e qytetëruar. Kjo qeveri rriti pagat që vitin e parë dhe do t’i rrisë sërish që nga 1 Marsi i vitit të ardhshëm. Sipas të gjitha sondazheve, Policia është institucioni më i besuar në vend. Sot çdo tregues flet për një histori suksesi me plot mundësi për të fituar çdo sfidë që kemi parë. Është ulur numri i vrasjeve, vjedhjeve, është rritur lufta kundër drogës, pasuria kriminale e sekuestruar”,
u shpreh Ministri.
Tahiri njoftoi gjithashtu një projekt të ri të Policisë së Shtetit, atë të Policisë në Komunitet, një strukturë e re që do të fuqizojë rolin e policit të zonës, që do të jetë në gadishmëri për komunitetin.
“Shumë shpejt do të fillojmë policinë në komunitet, duke fuqizuar policin e zonës, i cili nuk do të shfaqet më tek dera e shtëpisë për ndonjë hall, por do të jetë aty për të ndihmuar”.
Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se shumë shpejt do të hapen dyert për të gjithë ata të rinj që dëshirojnë të bëhen pjesë e policisë në mënyrë vullnetare.
“Shumë shpejt do të hapim dyer për ata që duan të shërbejnë vullnetarisht në polici, si në çdo vend të botës, për këdo që dëshiron të kontibuojë qoftë për 2 orë. Ligjin e ruajmë të gjithë bashkë, fëmijëve tani i shërbejmë të gjithë bashkë, drejtësinë e bëjmë të gjithë bashkë, ashtu sikurse Shqipërinë që duam”,
deklaroi Ministri.
Edhe Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se pagat e policisë do të rriten prej 1 Marsit 2017, sipas tij, duke kapur nivelin më të lartë të rajonit.
“Me buxhetin e vitit të ardhshëm, duke filluar nga 1 Marsi 2017 pagat tuaja jo vetëm do të rriten përsëri po tanimë ato do të kapin nivelin e lartë të rajonit tonë. Duke mishëruar edhe zbatimin tonë që kemi një polici shteti ndër më të mirat në rajon dhe ndër më të mbështeturat financiarisht dhe moralisht në rajon”.
Rama tha se ambicia e qeverisë është që brenda 10 viteve, policia shqiptare të jetë ndër më të mirat në Bashkimin Europian. /tvklan.al