Prezantohet Ardi Veliu: Policia ka nevojë për një ritëm të ri


Prezantohet Ardi Veliu: Policia ka nevojë për një ritëm të ri

18:54 05/02/2018

Këtë të hënë Ardi Veliu u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai u propozuar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe urdhri për emërim është firmosur nga Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një prezantimi në prani të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtues të tjerë të Policisë, Veliu tha se ju besua një detyrë shumë e rëndësishme dhe do të bashkëpunojë me kolegët për ta çuar përpara këtë mision.

Fjala e Drejtorit të Ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu

“Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë

Por sot, e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe atyre që ma besuan këtë detyrë.

Përgjegjësia ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndaj besimit të Qeverisë së Shqipërisë ndaj meje, në këtë moment që ndodhet rendi dhe siguria publike, në Shqipëri, më angazhon mua për të dhënë maksimumin e përkushtimit tim, për të përmbushur me sukses këtë mision. 

Unë e di qe nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni. E po kështu jam i ndërgjegjshëm që organizata e policisë është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri.

Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolegë të nderuar për të realizuar të gjitha objektivat e vëna nga Qeveria Shqiptare, në drejtim të përmirësimit të situatës së rendit e sigurisë si edhe përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të organizatës së policisë në publik.  

Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin.

Dhe kjo do të ndodhë.

Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.

Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore.

Ne polici nuk mungojnë njerëzit e kualifikuar e profesionistë, po ata jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur.

 

Vënia në efiçencë e kapaciteteve njerëzore, trajnimi i tyre i mëtejshëm, ngritja në vazhdimësi e kapaciteteve të reja, vlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së punonjësve të policisë, do jetë objektivi kryesor i punës së policisë në të ardhmen.

 Do ti kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për ti bërë ata më të motivuar e përkushtuar për të realizuar objektivat.

 Do të vlerësohet punonjësi i policisë, i cili është më i përkushtuar dhe më rezultativ.

Menaxhimi me efiçence i burimeve financiare, logjistike si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i teknologjisë do të jetë fokusi i punës së Policisë që unë do të drejtoj me përkushtim.

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të vlefshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të arritur në një polici të standardeve perëndimore.

Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e sferës profesionale e shoqërore në vend, duke mos harruar asnjëherë se policimi është një profesion ku duhet të kontribuojnë të gjithë.

I nderuar Z. Ministër!

Besimi, që Qeveria Shqiptare pati për të më ngarkuar këtë detyrë, më vë para një përgjegjësie shumë të madhe, të cilën unë do të mundohem ta justifikoj duke e drejtuar organizatën e Policisë drejt sfidave që kërkon koha, së bashku me kolegët e mi.

 

/tvklan.al






Të ngjashme