Princesha i arratiset bashkëshortit të saj sheik: Zbulova fakte shqetësuese


Princesha i arratiset bashkëshortit të saj sheik: Zbulova fakte shqetësuese

22:17 02/07/2019

Princesha Haya Bint al-Hussein, bashkëshortja e sundimtarit të Dubait, sheikut Mohammed Al Maktoum, është arratisur dhe po fshihet në Londër. Ajo thotë se ka frikë për jetën e saj, raporton BBC. Sheiku Mohammed është 69 vjeç dhe multimiliarder. Thuhet se ai ka 23 fëmijë me gra të ndryshme.

Kurse Princesha Haya është 45 vjeç dhe ka lindur në Jordani e është arsimuar në Britani. Ajo u martua me sundimtarin e Dubait në vitin 2004 duke u bërë gruaja e gjashtë e tij dhe gruaja më e vogël nga të tjerat. Pasi u arratis nga Dubai, fillimisht kërkoi azil në Gjermani dhe tani po qëndron në një shtëpi në Londër. Ajo thotë se po përgatitet për një betejë ligjore në Gjykatën e Lartë.

Por çfarë e shtyu që të largohej nga jeta luksoze në Dubai dhe përse tha që është e frikësuar për jetën e saj? Burimet kanë thënë për BBC se Princeshë Haya kishte zbuluar së fundmi fakte shqetësuese pas kthimit misterioz në Dubai vitin e kaluar të Sheikha Latifa, njëra nga vajzat e sundimtarit të Dubait. Vajza e tij ishte larguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe me ndihmën e një francezi, por u kap më pas nga persona të armatosur dhe u kthye në Dubai. Avokatët e të drejtave të njeriut thonë se ajo ishte rrëmbyer me forcë.

Rreth kësaj çështje, thuhet se Princesha Haya kishte mësuar fakte të reja. Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Londër nuk ka pranuar të komentojë këtë rast, duke thënë se “është një çështje personale mes dy personave”. /tvklan.al






Të ngjashme