Pritet të rinisin punimet për Korçë-Ersekë


Pritet të rinisin punimet për Korçë-Ersekë

16:48 24/08/2020

Qeveria miraton 24 milionë % fond, ARRSH hap tenderin

Në Shtator të vitit 2018 përfunduan 17.6 kilometrat e para të rrugës Korçë-Ersekë, një investim i cili shkurton rrugën që lidh këto dy zona me njëra-tjetrën dhe kryeqytetin, shpesh të lakmuara për turizmin malor.

Që prej atij viti, parlamenti nuk miratoi asnjë fond për të financuar vazhdimin e punimeve të kësaj rruge dhe me 2 lotet e mbetura, madje as pas kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila kishte gati projektin për këtë rrugë.

Me ndryshimin e buxhetit këtë vit, qeveria vendosi të shtojë fondet për ndërtimin e rrugëve dhe alokoi 24 milionë dollarë për ndërtimin e lotit të dytë të kësaj vepre, 4.15 kilometra, të cilat nisin në Qafën e Qarrit dhe kanë vështirësinë më të madhe të punimeve për shkak të pjerrësisë së segmentit dhe veprave të artit që nevojiten për tu ndërtuar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet në këtë zonë, të cilat nëse procedurat do të zhvillohen pa ankesa, pritet të përfundojnë pas dy vjetësh.

Rruga Korçë-Ersekë do të ketë në total 3 korsi me gjatësi 3.25 metra dhe një bankinë sigurie. Shpejtësia e lejuar në këtë aks do të jetë 80 km/h në mjedise fushore dhe 60 km/h në pjesët malore të rrugës.

Ndërtimi i këtij segmenti nisi në vitin 2013, por projekti pësoi disa ndryshime gjatë punimeve me kërkesë të Bashkisë së Korçës në mënyrë që 2 kilometrat e parë të plotësoheshin me elementët e zonave urbane, ndërsa pjesa tjetër e tij nuk u financua më nga buxheti.

Tv Klan






Të ngjashme