Probleme në Korridorin 8 (10 Dhjetor 1999)
Kaos dhe probleme në ndërtimin e Korridorit 8. Firmat ndërtuese dhe shteti akuzojnë njëra tjetrën për mosrespektim të kushteve të vëna. Një problem serioz është hapur në segmentin Rrogozhinë-Elbasan e marrë përsipër nga firma turke Behashe. Konflikti qëndron mes Këshillit të Rrethit Elbasan dhe firmës turke.
Sipas kryetarit të këshillit Elbasan, Ruzhdi Bashkvogli, firma Behashe në mënyrë jo korrekte furnizohet me zhavorr dhe inerte pranë lumit Shkumbin, duke mos paguar asnjë qindarkë pa llogaritur këtu dëmin që i shkaktohet shtratit të lumit. Mes Bashkvoglit dhe përfaqësuesit të firmës Behashi konflikti nuk zbutet as para kamerave të TV Klan.
Fatos Brovina përfaqësues i firmës turke insiston se nuk është detyrë e Këshillit të Rrethit vjelja e taksave duke sqaruar se taksat derdhen por diku tjetër. Këtu ka një vakum ligjor thotë Brovina pasi nuk ka një ligj apo udhëzim qeveritar për shfrytëzimin e zhavoreve.
Ndërkohë firmat pirate bëjnë kërdinë në gërryerjen e shtratit të lumit. Konflikti mes tyre ka nxitur dhe reagimin e fshatarëve të cilët për disa ditë mbajtën peng fadromat e punës. Të gjitha këto konflikte shtyjnë gjithnjë e më shumë përfundimin e rrugës./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj