Procedohet penalisht Drejtori i Parkut të Apollonisë
Duket se grabitja e veprave të artit në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, nuk do mbetet vetëm në ndalimin e autorëve.
Kjo pasi ditën e sotme, policia ka njoftuar ndalimin e përgjegjësit të Sektorit të Ruajtjes e Administrimit të këtij parku, si dhe procedim penal për Drejtorin dhe një punonjës, të akuzuar për shpërdorim detyre.
I ndaluari është Arjan Dimo, 43 – vjeç, banues në fshatin Pojan, përgjegjësi i Sektorit të Ruajtjes e Administrimit.
Ndërsa penalisht u proceduan M.H, 47 – vjeç, banues në lagjen “21 Dhjetori” Tiranë, me detyrë Drejtor për Parkun Arkeologjik të Apollonisë, si dhe Q.T, 66 – vjeç, banues në fshatin Radostinë, të Fierit, punonjës i parkut.
Këto masa, sipas policisë, vijnë pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë bërë të mundur që të mos marin masa për parandalimin, ruajtjen dhe sigurimin e veprave të artit e kulturës në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, duke lejuar që disa persona, nëpërmjet gërmimit të kundraligjshëm në Parkun Arkeologjik, të vidhnin një sasi të konsiderueshme të vlerave arkeologjike me rëndësi për identitetin e trashëgimisë kulturore.
Ditën e dielë, policia arrestoi dy persona, ndërsa dy të tjerë u shpallën.
Sipas policisë, këta persona për një periudhe të gjatë kohe kanë gërmuar në parkun kombëtar të mbrojtur të “Apollonisë”, duke nxjerrë rreth 230 objekte arkeologjike si bronx, hekur dhe qeramikë, të cilat pasi i grumbullonin në banesat e tyre dhe më pas trafikonin. /tvklan.al