Procedim penal për drejorin e spitalit të Beratit
Pas një denoncimi të marrë, Policia e Shtetit njoftoi nisjen e procedimit penal për drejtorin e spitalit të Beratit, Idlir Frashëri, i cili në bashkëpunim me deputetin e LSI-së, Gledion Rehovica dhe disa persona të tjerë akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore.
Policia nuk jep detaje të mëtejshme për shkeljet e konstatuara. Për çështjen reagoi edhe Zv/kryeministrja teknike Ledina Mandija që kërkoi hetim të thellë.
Edhe Ministria e Arsimit ka çuar në prokurori 3 përgjegjës të zyrave Arsimore të Librazhdit, Gramshit, Bulqizës si dhe drejtorin e Drejtorisë Arsimore Lezhë. Këta 4 zyrtarë janë angazhuar në aktivitete të fushatës zgjedhore në kundërshtim më përcaktimet ligjorë.
Pas shkarkimit të dhjetëra zyrtarëve dhe kallëzimit të tyre në Prokurori me motivacionin se janë përfshirë në fushatën elektorale, organi i akuzës ka nisur verifikimet për çdo rast. Në këtë hetim janë përfshirë disa Prokurori të rretheve si Berat, Durrës, Tiranë, Shkodër për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe detyrimin e qytetarëve për të marrë pjesë në aktivitete politike.
Shumica e largimeve nga puna janë bërë me urdhër të ministrave teknikë vendosur në detyrë nga Partia Demokratike. Pjesa dërrmuese e të larguarve janë përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetëm të shtunën, ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi urdhëroi shkarkimin e 8 zyrtarëve në varësi të tij, 5 drejtore burgjesh, 2 hipotekash dhe Drejtorin e Përmbarimit Gjyqësor në Durrës.
Tv Klan