Programet e Tv Klan, superaudiencë në Vitin e Ri
Numrat e zgjedhur artistikë, artistët e ftuar, kamerat e fshehta dhe atmosfera festive e krijuar në Teatrin e ri të Televizionit Klan, arena më e madhe dhe e realizuar televizive në Shqipëri, ishin argumentet artistike që sipas sondazheve, e veçuan programin e Vitit të Ri në Televizionin Klan si më të ndjekurin nga teleshikuesit shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve.
Një program artistik ku gjeti veten çdokush, ku përmblidhej shija e publikut për këngët më të bukura popullore, për këngët e traditës ruse, për ato të muzikës së lehtë dhe padyshim pjesët e zgjedhura të baletit modern dhe interpretimet mbresëlënëse të fëmijëve të “Gjeniut të Vogël”.
Brenda një minutazhi të gjatë ky program, që fitoi audiencë maksimale në natën e Vitit të Ri, ofroi një larmi personazhesh të zgjedhur, fëmijët që me batutat e tyre përcollën bashkë me publikun në sallë dhe atë pas ekranit ardhjen festive të Vitit të Ri 2010.
Premiera më e re e filmit shqiptar “Ne dhe Lenini”, i regjisorit Saimir Kumbaro ishte një tjetër pjesë e programit të Vitit të Ri, që teleshikuesi pati mundësinë ta ndjekë në ekranin e Televizionit Klan.
Kjo komedi dramatike i vendos ngjarjet në një strehë të moshuarish, të cilën kërkojnë ta marrin ata që merren me falsifikime të pronësisë. Filmi nis me nje kërriç dhe mbaron me një gomar. Me anë të këtij simboli, regjisori i kujtoi publikut proverbin e famshëm shqiptar: “Prit gomar të mbijë bar”.
Kjo nënkupton se Europa pas vitit 1945 u rindërtua shumë shpejt, ndërsa Shqipëria vazhdon ende të jetë në tranzicion, si pasojë e padijes. Karakteret e spikatur në film i ishin besuar një kaste aktorësh të njohur, si Lazer Filipi, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Tinka Kurti e Mirush Kabashi.
Por programi festiv i Vitit te Ri do te vijoje ne 3 Janar në drekë me një përmbledhje të pjesëve më të bukura të spektaklit “E diela shqiptare”.
Të gjithë personazhet më të spikatur si politikanë, ambasadorë, artistë dhe batutat më të bukura në panelin “pro dhe kundër” të spektaklit.
Të ftuarit specialë të “E diela shqiptare” janë prezantuesi i njohur italian Pipo Baudo, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe familja e tij, bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha.
Po ashtu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topallit do të surprizojë me një performancë me kitare me prezantuesin dhe kantautorin Ardit Gjebrea.
Por jo vetëm kaq, një ndërthurje e baleteve më të bukura të realizuara në skenën e këtij spektakli, interpretimet e këngëtarëve të “Këngës Magjike” e deri te emocionet që ofruan spektaklet e të dielave për vetë artistët e ftuar, janë disa nga kolazhet e zgjedhura për këtë përmbledhje.
Madje dhe gjithçka ka ndodhur jashtë kameras gjatë kohës së publicitetit në kuzhinë do të jenë një nga ofertat më gazmore të këtij programi.
Nuk do të mungojnë as kamerat e fshehta dhe kalendari i “E diela shqiptare” do të jetë kurorëzimi i një sezoni të tërë, që do të mund ta ndiqni të dielën, nga ora 13:30 deri në orën 19:00.
Në mbrëmjen e 3 Janarit, në orën 21:00, stafi i emisionit “Histori me Zhurmues”, i drejtuar nga Pandi Laço, kanë përgatitur një edicion special, ku përmes kinoditareve të kohës i bëhet jehonë mënyrës se si kanë festuar shqiptarët Vitin e Ri në vitet e diktaturës.
Programi i Vitit të Ri në Televizionin Klan vijon edhe me premierat hollivudiane, që do të shoqërojnë shqiptarët në këto ditë pushimi.
Tv Klan