Progres-raporti i KE: Shqipëria, pranë përmbushjes së kushteve


Progres-raporti i KE: Shqipëria, pranë përmbushjes së kushteve

19:50 06/10/2020

Komisioneri Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha sot se Shqipëria është shumë pranë përmbushjes së kushteve të vendosura për pjesëmarrjen në Konferencën e parë Ndër-Qeveritare të Dhjetorit, për hapjen e negociatave të antarësimit.

Teksa bëri publike Paketën për Zgjerimin për vitin 2020 përpara anëtarëve të Komisionit të Punëve të jashtme të PE-së, Varhelyi veçoi si problem miratimin pa konsensusin e opozitës të amendamenteve të Kodit Zgjedhor që shkojnë përtej marrëveshjes së 5 Qershorit.

“Me këtë proces po i hapim sytë mirë. Do të shkoj të takohem me opozitën parlamentare e jashtëparlamentare e po ashtu me qeverinë, përfshirë Kryeministrin. Dua të shoh në terren se si po zbatohen kushtet dhe shpresoj që kjo çështje mos të trajtohet si diçka më vete pasi ky do të jetë një gabim”.

Shqetësimi për këtë pikë ngrihet edhe në raportin e Komisionit Europian.

“Amendimet kushtetuese miratuan me mbështetjen ndërpartiake në Parlament dhe hasën në kritika nga opozita jashtëparlamentare. Këto amendime janë të palidhura me implementimet e kërkesave të OSBE/ODIHR dhe kërkonin ndryshime të tjera në Kodin Elektoral që u diskutuan mes partive politike në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis përpara se Parlamenti të votojë atë në 5 Tetor. Megjithë rezultatin pozitiv në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, në veçanti në lidhje me reformën elektorale dhe implementimin e saj”.

Një tjetër problem është edhe mosfunksionimi ende i Gjykatës Kushtetuese. Ashtu si në raport, Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi kërkoi që Gjykata Kushtetuese të bëhet sa më shpejt funksionale, si një pikë kyçe për pjesëmarrjen e vendit në konferencën ndërqeveritare.

Emërimet në Gjykatën Kushtetuese duhet të vazhdojnë menjëherë pasi Gjykata e Lartë të arrijë kuorumin e kërkuar prej 3/5 të anëtarëve në detyrë, pasi kjo e fundit është autoriteti i tretë emërues së bashku me Parlamentin dhe Presidentin e Republikës.

Raporti prek edhe problematika të tjera si ligji i medias ku kërkohet përshpejtimi i procedurave për miratimin e tij sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Vlerësohen po ashtu përparimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në raport thuhet se përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

Tv Klan






Të ngjashme