Projekti për ujërat e ndotura në Tiranë, Ministri: Ka patur vonesa


Projekti për ujërat e ndotura në Tiranë, Ministri: Ka patur vonesa

14:42 07/10/2016

Edhe pse ka nisur në qershor të vitit 2014, projekti “Tirana e Madhe” për trajtimin e ujrave të zeza në kryeqytet, është realizuar vetëm në masën 40% .

Nga Kashari, ku ka nisur ndërtimi i impiantit për ujërat e ndotura, Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, pranon që projekti ka patur vonesa dhe i bën thirrje kontraktorëve që të përshpejtojnë punimet, që projekti të përfundoje sipas afateve në vitin 2018.

Projekti synon t’i shërbejë afro 340 mijë qytetarëve të kryeqytetit dhe për ndërtimin e tij janë marrë hua rreth 11 miliardë jene, nga qeveria japoneze.

Qeveria u desh të shtyje vitin e kaluar me 4 vite afatin e disbursimit te kredisë me japonezet, pasi rrezikonte ta digjte atë për shkak të skadimit të afatit.

Gjatë këtij inspektimi ministri Dervishaj i është përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve për çështje të tjera.

Lidhur me rrugën e Arbrit ai tha se punimet pritet të nisin pranverën e vitit të ardhshëm dhe po shihet mundësia e partneritetit Publik-Privat.

Lidhur me koncesionin e Rrugës se Kombit, Dervishaj thotë se ende s’ka asnjë vendim konkret për fituesin dhe se po ndiqen hapat ligjore.

Ministri nuk dha asnjë afat konkret edhe për vënien në funksion të aeroportit të Kukesit, edhe pse kanë kaluar afro 10 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes me palën e aeroportit të Rinasit, për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare./ TV KLAN






Të ngjashme