Prokurorët reagojnë përmes një deklarate kundër Sali Berishës (21 Shtator 1998)
Grupi i Prokurorëve të cilët po hetojnë ngjarjet e marsit dhe kryengritjen e armatosur fajësojnë Sali Berishën me anën e një deklarate të bërë publike sot në mesditë. Prokurorët e quajnë kreun e demokratëve kryeterrorist dhe i bëjnë thirrje atij të mos guxojë të mendoje se prokurorët do të tërhiqen nga rruga e vendosjes së drejtësisë në Shqipëri. Zyrtarët e lartë të hetimit e quajnë më tej Berishën si udhëheqës shpirtëror dhe udhëheqës të grushtit të shtetit dhe theksojnë se veprimet ligjore po kalojnë në ato personale. Prokurorët paralajmërojnë se nëse ndodh kjo, atëherë pasojat do të jenë më të rënda për Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij. Përmes kësaj deklarate Berisha duhet të mësojë se çdo veprim dhune e çfarëdo lloji qoftë që do të drejtohet ndaj prokurorëve dhe familjeve të tyre, do të jetë kryer vetëm prej tij dhe se vetëm ai do të jetë përgjegjës. Grupi i akuzatorëve e mbyllin deklaratën e tyre duke thënë se ata detyrën do ta çojnë deri në fund dhe se janl gati të sakrifikojnë për hir të vendosjes së drejtësisë.
Pamje Prokuroria e Përgjithshme./tvklan.al
Gazetar : Roland Zili