Prokurorët zviceranë në Shqipëri – (9 Qershor 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Para tre muajsh në rrjetin e policisë zvicerane kanë rënë një grup trafikantësh të drogës mes të cilëve dhe katër shqiptarë që aktualisht ndodhen të burgosur në Lozanë të Zvicrës. Dosja e hetimit përveç personave aktualisht në pranga përfshin edhe mjaft persona të tjerë të përfshirë në një trafik droge të organizuar që kalon edhe nga Shqipëria.
Gjyqtari hetues Zhan Klod Gaviled nga Lozana, prej një jave ndodhet në Tiranë dhe Lezhë së bashku me një tjetër inspektor policie zviceran. Mundësitë e zbulimit të pjesëve të rrjetit edhe në Shqipëri kanë qenë objekt pune i gjyqtarit Gaviled, por pjesë e hetimit në Zvicër është edhe fakti se si pastrohen në Shqipëri paratë e drogës së shitur në perëndim.
Në Zvicër në lidhje me trafikun e drogës janë nën vëzhgim edhe 30 shqiptarë të tjerë që qendrojnë atje. Në Lezhë janë marrë në pyetje edhe disa persona, rrethi i afërt i të burgosurve shqiptarë në Zvicër. Pyetjes se nën vëzhgim është edhe ndonjë personalitet i politikës shqiptare si protektor i rrjetit, gjyqtari Gaviled i përgjigjet negativisht, por duke shtuar se edhe nëse do të kishte hetime të tilla një prokuror nuk do ti deklaronte pa u vërtetuar./tvklan.al