Prokuroria kërkon 9 vjet burg për Thimion


Prokuroria kërkon 9 vjet burg për Thimion

15:50 21/05/2014

THIMIO2“Bandë e instruktuar e Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës… 

Do vish këtu do vish ti. Ku i ke marr ato procesverbalet, i ke fallsifikuar të tëra, 2300 Euro ke marr nga Koço Kokëdhima hajduti… Bashkë me Edi Ramën…”

Ka qenë ky reagimi i ashpër i Gjergji Thimios, drejtuar prokurorit që kërkoi dënimin e tij me 9 vite burg, për akuzën “vjedhje dhe trafik të ikonave kishtare dhe veprave të tjera të artit”.

Regjistrimi audio i deklaratës së të pandehurit u bë në mbyllje të seancës gjyqësore, pasi kamerat nuk u lanë deri në fund të leximit të pretencës nga përfaqësuesit e akuzës.

Për koleksionistin tjetër, Arben Spahon, edhe ai i arrestuar në Tetor të vitit të shkuar gjatë operacionit policor të koduar me emrin “Ikona”, Prokuroria kërkoi dënimin me 7 vjet burg.

Avokatët mbrojtës kërkuan 13 ditë kohë për të bërë mbrojtjen përpara se gjykata të shprehet, me vendimin që pritet të jepet më 4 Qershor.

Gjergji Thimio dhe Arben Spaho akuzohen se në bashkëpunim kanë nxitur vjedhjen e qindra ikonave të artit nga kisha të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë vendit. Në konkluzionet përfundimtare prokurori Ervin Karanxha tha se është provuar edhe trafikimi i këtyre veprave jashtë vendit dhe se për 7 vepra janë përfituar 80 mijë euro.

Dyshohet se për qëllime përfitimi janë trafikuar 70 prej tyre.

Por koleksionisti Thimio i ka mohuar këto akuza dhe është shprehur para gjykatësve se është sulmuar politikisht për shkak se nuk ka pranuar t’i japë kryeministrit Rama një ikonë të Onufrit, që ai do t’ia dhuronte ish –kryeministrit britanik Tony Blair, i cili është kontraktuar për të këshilluar qeverinë shqiptare.

Gjergji Thimio ka pranuar ndërkohë gjykimin e shkurtuar dhe nëse gjykata do të lerë në fuqi pretencën e prokurorit, dënimi pritet t’i ulet në 6 vjet.

TV KLAN





Të ngjashme