Prokuroria nis verifikimin e Elvis Roshit pasi pranoi se ishte dënuar në Gjermani
Deklarimet e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi në formularin e dekriminalizimit se nuk mban mend se për cilën vepër penale është gjykuar në Gjermani, do të verifikohen nga Prokuroria. Kreu i këtij institucioni, Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të paraqesë materialet paraprake mbi Elvis Roshin për të kryer një verifikim më të thelluar, pasi në formularin e dorëzuar prej tij ka të dhëna të pasqaruara.
Praktikisht prokurori i kërkon KQZ që të bëjë kërkesë për verifikimin e veprës penale, si dhe vendimit që është marrë nga gjykata gjermane e Mynihut. Më pas prokuroria vlerëson me kodin penal të Republikës së Shqipërisë, për të kuptuar nëse për këtë rast Elvis Roshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, deklaroi në formular se është ndaluar, proceduar dhe nënshtruar gjykimit në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002. Por atij nuk i kujtohet për cilën arsye është proceduar dhe cili ka qenë vendimi që ka marrë nga gjykata.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kryetari i Bashkisë së Kavajës tha se ishte ndaluar nga autoritetet vendase dhe më pas është dëbuar nga Gjermania pasi ka qenë emigrant i paligjshëm dhe se ka shkruar në deklaratë se nuk i kujtohen detajet e çështjes, pasi donte të ishte i saktë në çdo përcaktim.
Tv Klan