Prokuroria nis verifikimin e kallëzimit ndaj Tahirit


Prokuroria nis verifikimin e kallëzimit ndaj Tahirit

13:23 20/06/2016

Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal për Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pas kallëzimit të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Procedimi është regjistruar për veprën penale të kanosjes së gjyqtarit. Sqarohet se hetimi është regjistruar vetëm për veprën penale dhe po kryhen verifikimie në kuadër të saj.

Nëse prokurorët faktojnë se është konsumuar vepër penale, atëherë procedimi do të regjistrohet në emër të Ministrit.

Burime nga prokuroria thonë se janë në fazën e kryerjes së veprimeve proceduriale për të vërtetuar pretendimin e KLD-së.

Të njëjtat burime saktësojnë se do të shqyrtohen të gjitha deklaratat e bëra nga ministri Tahiri ditët e fundit.

Në datën 11 Qershor KLD vendosi të kallëzojë Tahirin pas deklaratave të bëra kundër gjyqtarit Arjan Aliaj, për shkak se ai vendosi pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, vendim që u prish më pas nga Gjykata e Apelit, e cila argumentoi se Çako nuk kishte kryer vepër penale përsa i përket hetimit për pajisjen italiane të përgjimit.

KLD i cilësoi si intimidim deklaratat, jo vetëm ndaj gjyqtarit në fjalë, por edhe trupës gjyqësore në përgjithësi.

Tv Klan






Të ngjashme